Workshop në familjen Piroli mbi gatimet tradicionale të fshatit Zhejë në Kurbin.


Description

E shtuna e datës 18 janar, na gjeti sё bashku në familjen Piroli që jeton për gjenerata në fshatin Zhejë të Kurbinit. E përbërë nga nënë Mrika, dhe vellezërit Piroli dhe bashkëshortet e tyre, kjo familje me tradita ndau me ne gatimin e disa pjatave simbol të kuzhinës tradicionale Kurbinase. Jo vetëm që gatimet u përgatitën me përbërës lokalë, të kultivuar dhe rritur në fshatin Zhejë, por ajo çka na tërhoqi vëmendjen ishte pjesëmarrja e gjithë familjes, burra e gra, nën aprovimin e nanë Mrikës.
Po ashtu, secila gatesë u shoqërua me një rrëfim agronomik, i cili niste nga përbërësit, stina dhe teknikat e gatimit, por edhe me historitë, gojëdhёnat dhe legjendat e dëftuara nga Agustini, djali i nanë Mrikës.
Ajo çka mbeti si mbresë e kesaj dite mbushur me traditë, histori dhe shije ishte bashkëjetesa e komuniteteve katolikë dhe myslimanë dhe respekti i përbashkët që ofrohej edhe në ushqime. Në festa fetare katolike, gatuhej mënjanë vetëm për komshinjtë, të afërmit apo edhe udhëtarët e rastësisëm, që i përkisnin besimit myslman dhe u ofroheshin gatime pa mish derri dhe të gatuara në enë të veçanta.
Ky “artefakt” shpirtëror dhe jetësor dëshmon si rrallëherë për zemrën dhe bashkëjetesën e paqtë të kurbinasve!
Ky takim është realizuar në kuadër të projektit “Shijet e pёrhershme: Kёnaquni me gatimet, produktet dhe baladat e Kurbinit” financuar nga Bashkimi Evropian (BE) nё kuadёr tё programit EU4Culture, dhe zbatuar nga ALCDF.

  • Region:

    • Lezhe

More News & Updates